Dhimmi
Dhimmi (arabisht ذمة = dhimma = ḏimma "mbrojtje", "përkujdesje", "dorëzani") është një institucion i jurisprudencës islamike i cili përcakton statusin ligjor të "të mbrojturve" jo-myslimanë (të quajtur "dhimmi") nën sundimin islamik. Përkufizimi i dhimmi-ve dhe trajtimi ligjor i të mbrojturve janë krijuar në të drejtën ndërkombëtare islamike në shekullin e dytë islamik (shekulli i 8-të pas Kr.) gjatë pushtimeve islamike dhe janë trajtuar në degën e literaturës juridike të zhvilluar nga kjo e ashtuquajtur ahkam ahl adh-dhimma / أحكام أهل الذمة / aḥkāmu ahli ʾḏ-ḏimma ("rregullore ligjore për të mbrojturit").
Një aleancë e tillë mbrojtjeje ka qenë në fillim vetëm për hebrenjtë, të krishterët dhe sabeët. Gjatë ekspansionit islamik mundësia e dhimma-s është zgjeruar edhe për bashkësi të tjera fetare si p.sh. zoroastrianët ose hindutë, kështu që si përfundim të gjithë jo-myslimanët kishin mundësinë të lidhnin një kontratë si dhimma me pushtuesit myslimanë.[1]
Që prej formimit të shteteve kombëtare arabe, me sfera të ndryshme të vlefshmërisë së sheriatit në legjislativët e tyre, statusi ligjor i dhimmi-t ose është hequr, ose është modifikuar.
Termi dhimma del gjatë një grindjeje të Muhamedit me politeistët e Mekës në vargjet 8 dhe 10 të sures 9 me kuptimin "lidhje" ose "zotim". Në disa shkrime të Muhamedit të dërguara fiseve arabe dhe bashkësive të krishtera u premtohet atyre "dhimma e Zotit dhe e të dërguarit të tij" (arabisht ذمة الله ورسوله = ḏimmatu ʾllāhi va-rasūlihi) në rast konvertimi (ndërrimi të fesë) në atë islame.[2]
Përkufizimi i "dhimmi-t"
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Si dhimmi (arabisht ذمّي = ḏimmī) cilësohen në traditën ligjore islamike monoteistët të cilët toleroheshin me një status ligjor të kufizuar.
Të gjithë ata që nuk ishin as myslimanë, as dhimmi, cilësoheshin si harbī ("të luftës"), si popuj, me të cilët e ashtuquajtura shtëpia e islamit ishte në luftë.
Kurani përmend këto bashkësi fetare jo-myslimane: hebrenjtë (al-yahūd ose banū Isrāʾīl = "fëmijët e Izraelit"), të krishterët (an-naṣārā), zoroastrianët (al-maǧūs), sabeët (aṣ-ṣābiʾa), ose mandeët dhe politeistët (al-mushrikūn). Ata që kanë pasur libra të shenjtë që në kohën para-islamike, dmth. torah (at-tavrāt) dhe ungjilli (al-inǧīl), janë ahl al-kitāb, "besimtarë të librit". "Fëmijët e Izraelit" përmenden si në lidhje me historinë biblike të judaizmit, ashtu edhe në lidhje me hebrenjtë e ambientit ku jetonte Muhamedi[3], ndërsa termi al-jahūd përdoret në Kuran vetëm për hebrenjtë e Medinës dhe përreth saj, me të cilët Muhamedi ka pasur kontakte. Në jurisprudencë, gjatë përshkrimit të trajtimit të të mbrojturve përdoret vetëm emri al-yahūd.[4]
Kurani përmend edhe shkrime të tjera: shkrimet e Abrahamit dhe Moisiut (ṣuḥuf Ibrāhīm va-Mūsā) ose "shkrimet e para" (aṣ-ṣuḥufu ʾl-ūlā), të cilat Kurani nuk i përcakton më hollësisht, dhe shkrimet e Davidit (zabūr Dāvūd = psalmet). Mbi këto shkrime Muhamedi duhet të ketë pasur vetëm dijeni të vagëlluara pasi as Kurani dhe as ekzegjeza e Kuranit nuk japin të dhëna konkrete për to. Bashkësitë e përmendura fetare, me të cilat ai duhet të ketë pasur kontakte që përpara aktivitetit të tij si profet, pas shpalljes së tij si profet cilësohen në përgjithësi si të pafe (kjo vlen edhe për të krishterët dhe hebrenjtë) dhe pas mposhtjes së tyre, në jurisprudencë, si bashkësi nën mbrojtje islamike (arabisht أهل الذمة = ahl al-dhimma = ahlu ʾl-ḏimma).
Juristi dhe teologu Ibn Qayyim al-Ǧauziyya († 1350) përmend pesë bashkësi jo-myslimane: hebrenjtë, të krishterët, zoroastrianët, sabeët dhe politeistët. Edhe Ibn ʿAbbās-i thotë:
- "Janë gjashtë fe. Njëra (dmth. ajo islame) është për të Mëshirshmin (Zotin), pesë të tjerat për djallin."
Por ky mendim nuk është me origjinë nga Kurani, duke mos pasur kështu vlefshmëri universale.
Statusi ligjor i një dhimmi sipas sheriatit
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Sipas konceptit islamik, dhimmi-t mund të vepronin sipas rregullave të të drejtës civile, ndërsa në sferën e të drejtës publike dhe të ushtrimit të riteve fetare ata u nënshtroheshin kufizimeve ligjore të sheriatit.[5] Këtu bënin pjesë rregulla të caktuara për veshjen, ndalimi i mbajtjes me zë të lartë i ceremonive fetare në mënyrë publike, ndalimi i ndërtimit të ndërtesave sakrale (psh. kishave) dhe kufizime të tjera ligjore.[6]
Dhimmi-t ishin të detyruar të paguanin një taksë të veçantë për kokë (xhizjanë). Atyre u lejohej të ushtronin në formë shumë të kufizuar fenë e tyre, megjithatë hebrenjtë dhe të krishterët nuk lejoheshin të ngrinin kisha, manastire dhe sinagoga të reja. Rënia e kambanave, varrimet e dukshme dhe festat publike ishin të ndaluara. Një dhimmi nuk kishte mundësi të ngrihej në pozitë në një detyrë publike zyrtare, dhe ekzistonte një pabarazi e madhe ndaj ligjit. Dhimmi-ve u duhej të banonin në lagje të veçanta (shih getot e hebrenjve) dhe të mbanin veshje të veçanta në mënyrë që të dalloheshin. Nga ky diskriminim mysliman me anë të veshjes dalluese u zhvillua më vonë ylli i Davidit. Dhimmi-t nuk lejoheshin të mbanin armë dhe mund të shkonin kaluar vetëm mbi gomarë, jo mbi kuaj. Ligjet islamike theksonin se dhimmi duhej të kalonte përbri një myslimani duke ulur sytë. Dhimmi kishte për detyrë të pranonte ndëshkimet nga myslimanët pa pasur të drejtën për t'u mbrojtur; nëse mbrohej, rrezikonte ekzekutimin ose prerjen e duarve.
E drejta ndërkombëtare islamike thoshte se përpara luftës kundër armiqve jo-myslimanë, atyre u duhej bërë thirrje për të pranuar fenë islame ose (në rastin e besimtarëve të feve të librit), në këmbim të pagimit të xhizjasë, mund të qëndronin në fenë e tyre.[7] Kjo bazohej në suren 17, vargun 15, ku thuhet:
- "...Ne nuk do të vendosnim kurrë një ndëshkim pa i çuar më parë një të dërguar."
Kjo thirrje përpara veprimeve luftarake ishte edhe pjesë e sunetit të profetit, si dhe e pasardhësve të tij të drejtpërdrejtë, kalifëve.[7]
I padiskutueshëm ka qenë trajtimi i arabëve të krishterë, banu taghlib-ëve në veri të Gadishullit Arabik. Jo më vonë se në veprën ligjore të al-Shafii-t (aš-Šāfiʿī) del qartë tendenca që këto bashkësi fetare të mos trajtohen si "besimtarë të librit" dhe në këtë mënyrë as si dhimmi; aty bëhet referimi te një normë ligjore që pretendohet të jetë lëshuar që prej kalifit të dytë Umar ibn al-Khattab (ʿUmar b. al-Ḫaṭṭāb), ku ndër të tjera thuhet: "Arabët e krishterë nuk bëjnë pjesë tek besimtarët e librave (...); unë nuk do të pushoj derisa ata të pranojnë fenë islame (ḥattā yuslimū) - ose do t'u këpus kokën!" Ligji gjeti këtu një zgjidhje më të butë; duke u mbështetur në suren 9, 29 u vendos edhe për arabët e krishterë xhizja-ja (ǧizya), veçse duke e quajtur atë sadaka (ṣadaqa), pa iu dhënë atyre statusin e dhimmi-ve.
Statusi ligjor i dhimmi-ve ishte i përcaktuar nga ligji islamik,[8] megjithatë trajtimi i tyre nën sundimin islamik ndryshonte në praktikë sipas vendit, kohës dhe sundimtarit gjatë historisë:[9]
> "Statusi real i jo-myslimanëve varej nga disa faktorë: a) nga gjendja e brendshme e zonës përkatëse të sundimit islamik; b) nga marrëdhëniet e saj me fuqitë dominuese përkatëse jo-myslimane; dhe c) nga dobia që kishin jo-myslimanët (ose pjesë të elitave të tyre) për sundimtarin përkatësisht bashkësinë myslimane." > — Gudrun Krämer, Hyrje në shkencat islame / WS 2003/4.
Dekreti i kalifit abasid al-Mutavakkil mbi dhimmi-t
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Sipas historiografit at-Tabari, kalifi abasid al-Mutavakkil në prill të vitit 850 lëshoi një dekret, sipas të cilit të krishterët dhe të gjithë të mbrojturit duhej të mbanin një mantel në ngjyrë mjalti (tajlasan), rripin tradicional (zunnar) dhe një kapë të verdhë në kokë. Rregullore veshjesh dhe shenja të tjera dalluese iu vendosën të gjitha bashkësive të ahl al-dhimma-s.
- Al-Mutavakkil-i urdhëroi gjithashtu që në shtëpitë e jo-myslimanëve të vizatoheshin koka të zeza djajsh dhe të rrafshoheshin varret e tyre, në mënyrë që të dalloheshin nga ato të myslimanëve.
- Shërbesat fetare dhe ceremonitë e varrimit duheshin mbajtur pa rënë në sy; gjithashtu nuk duheshin treguar publikisht shenjat e besimit të tyre, si psh. kryqet.
- Sipas këtij dekreti, duheshin shkatërruar ndërtesat e reja sakrale (psh. kishat). Në rast se trualli ishte i mjaftueshëm, ai mund të përdorej për ndërtimin e një xhamie.
- Dhimmi-t nuk lejoheshin të punësoheshin në detyra shtetërore.
- Fëmijët e dhimmi-ve nuk kishin të drejtë të ndiqnin shkollat e myslimanëve ose të mësoheshin nga një mësues mysliman.[10]
Në perëndim të botës islamike, rregullore të tilla ishin të panjohura deri në kohën e almohadëve. Sundimtari fanatik almohad Jakub al-Mansur-i, Abu Jusuf-i, vendosi pak para se të vdiste në vitin 1198 që hebrenjtë të mbanin publikisht një mantel blu të errët (burnus) dhe një kapë të dallueshme me majë.
Orientalisti francez R. Brunschvig kishte mendimin se masat e përmendura më lart të marra nga almohadët mund të kenë shtyrë Këshillin e katërt të Lateranit të vitit 1215 që të vendosë për hebrenjtë në Evropë mbajtjen e një shenje të verdhë dhe të një kapeje dalluese.[11]
Rregulla mbi statusin e dhimmi-ve nga literatura ligjore
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Dhimmi-t nuk lejohet të shkojnë mbi kalë, por vetëm mbi gomarë.
- Një dhimmi nuk lejohet të martohet me një myslimane, por një mysliman me një grua dhimmi po.
- Dëshmia e tij në gjyq vlen më pak se ajo e një myslimani, ndërsa si dëshmitar në procese kundër myslimanëve ai nuk pranohet fare.
- Për krime që bëheshin ndaj dhimmi-ve, myslimanët ndëshkoheshin vetëm me gjysmën e dënimit, ndërsa dënimi me vdekje ishte i pamundur.
- Dhimmi-t nuk lejoheshin të kryenin disa detyra administrative, në të cilat ata mund t'u caktonin rregulla myslimanëve.
- Dhimmi-t nuk lejoheshin të shkelnin në qytetet Mekë dhe Medinë, në provincën Hexhaz apo në Gadishullin Arabik.
- Shpesh vlenin urdhëresa të caktuara veshjesh (ghiyar) për t'i dalluar individët si pjesëtarë të një bashkësie të caktuar fetare.
Kjo formë ligjore që u garantonte dhimmi-ve jetën, pronën dhe ushtrimin (e kufizuar) të fesë, nuk mundi të evitonte që nganjëherë të çonte edhe në dhunë ndaj të mbrojturve, si p.sh. në masakrën e Granadës më 1066 ndaj hebrenjve.
Shih edhe
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]Literaturë
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill. Leiden. vëll. 2. fq. 227 ("Dhimma")
- Antoine Fattal: Le Statut Légal des Non-Musulmans en pays d’Islam. Bejrut, 1958
- A. S. Tritton: The Caliphs and their Non-Muslim Subjects. London, 1930
- Mark. R. Cohen: Unter Kreuz und Halbmond. Die Juden im Mittelalter (Nën kryqin dhe gjysmëhënën. Hebrenjtë në mesjetë). München, 2005
- Benjamin Braude dhe Bernard Lewis (red.): Christians and Jews in the Ottoman Empire: The Functioning of a Plural Society. New York, Holmes & Meier Publishing
- Bernard Lewis: Die Juden in der islamischen Welt (Hebrenjtë në botën islamike). C.H. Beck, 2004
- Rudi Paret: Toleranz und Intoleranz im Islam (Toleranca dhe intoleranca në fenë islame). Në: Saeculum 21 (1970). fq. 344-365
- Albrecht Noth: Möglichkeiten und Grenzen islamischer Toleranz (Mundësitë dhe kufijtë e tolerancës islamike). Në: Saeculum 29 (1978). fq. 190-204
Lidhje të jashtme
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- Gudrun Krämer: Hyrje në shkencat islame / WS 2003/4. Protokoll i shkurtër: Jo-myslimanët nën sundimin islamik (Gjermanisht)
- Mark R. Cohen: Frankfurter Allgemeine Zeitung, 25 Tetor 2003: Gjendje si në Andaluzinë e vjetër (Gjermanisht)
- Stefan Schreiner: Ndërmjet botëve – Mbi historinë e hebrenjve në botën arabo-islamike. në: Der Bürger im Staat. Viti i 56-të, Nr. 2 (2006) (Gjermanisht)
Referimet
[Redakto | Redakto nëpërmjet kodit]- ↑ Robert Hoyland: Muslims and Others in Early Islamic Society. Ashgate, 2004. fq. xiv.
- ↑ Muhammad Hamidullah: Maǧmūʿat al-waṯāʾiq as-siyāsiyya lil-ʿahdi ʾn-nabawīy wa-ʾl-ḫilāfati ʾr-rāšida. (Përmbledhje dokumentesh politike të kohës së profetit dhe të kalifatit të ligjshëm). Beirut 1969. passim dhe fq. 449: regjistër i termave
- ↑ Shih The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. vëll I, fq. 1020 ("Banū Isrāʾīl") dhe citatet e kuranit aty.
- ↑ al-mausūʿa al-fikhiyya. (Enciklopedi e të drejtës islamike). Kuwait 2004. Vëll. 7, fq. 121 dhe 141
- ↑ Këto numërohen në Bernard Lewis: The Jews of Islam. Princeton 1984, prej fq. 32.
- ↑ A. J. Wensinck dhe J. H. Kramers: Handwörterbuch des Islam. Brill, 1941, fq. 96
- 1 2 Adel Th. Khoury, Ludwig Hagemann, Peter Heine: Lexikon des Islam. Geschichte - Ideen - Gestalten. Directmedia, 2001. prej fq. 669.
- ↑ Një vepër e rëndësishme për statusin teorik ligjor të dhimmi-ve është "Aḥkām ahl aḏ-ḏimma" i Ibn Kajjim al-Xhauzija-s.
- ↑ Bernard Lewis: The Jews of Islam. Princeton 1984, prej fq. 37. Shih edhe A. J. Wensinck dhe J. H. Kramers: Handwörterbuch des Islam. Brill, 1941, fq. 96: "Nga ana ligjore ai [dhimmi] nuk ka të drejta të plota për sa i përket dëshmisë para gjyqit, mbrojtjes nga veprat kriminale dhe martesës. Natyrisht, këto kufizime janë zbatuar me rreptësi në mënyra shumë të ndryshme." Shih gjithashtu: Stefan Schreiner, "Ndërmjet botëve. Mbi historinë e hebrenjve në botën arabo-islamike" në: Der Bürger im Staat, 2006, fq. 94-102.
- ↑ at-Tabari: Taʾrīḫ al-rusul wa-ʾl-mulūk. vëll. 9, 171-172 (Kajro 1967)
- ↑ Shih R. Brunschvig: La berbérie orientale sous les Hafsides. Paris 1940. Vëll. II. fq. 404